Dy ditë para nisjes së Festivalit të Këngës në RTK, përgatitjet po marrin fund. Tashmë Orkestra e themeluar për këtë ngjarje bashkë me 18 artistët konkurrues të edicionit të parë janë zhvendosur me prova në hapësirën e Pallatit të Rinisë, ku destinohet për tre mbrëmjet live.
Drejtori artistik, Florent Boshnjaku, në një intervistë për RTKlive ka konfirmuar se gjithçka po shkon sipas planifikimeve të organizatorëve.
“Përgatitjet janë duke shkuar sipas planit, kemi dalë në sallë dhe po e bëjmë provën teknike sot. Nesër jemi gati për provën gjenerale, praktikisht edhe sonte do ta kemi një provë të madhe me artistë, por nesër është ajo prova e madhe ku do të mbahet festivali”, ka thënë për RTK-në, Boshnjaku.
Boshnjaku tutje ka theksuar se programi mysafir është tejet i larmishëm. Ka pohuar prezencën e artistëve të dëshmuar të skenës vendore, duke përfshirë emra të Kosovës e të Shqipërisë.
“Ja vlen ta ndiqni, është festival i cili do të hyj në histori si i pari i tillë, shpresoj që edhe publiku do ta shijoj në maksimum po aq sa ne jemi duke e shijuar i gjithë ekipi që jemi në festival”, ka thënë drejtori artistik i Festivalit të Këngës.