Kryetarja e jurisë së Festivalit të Këngës në RTK, Alma Bektashi nga tapeti i kuq, ka çmuar organizimin e kësaj ngjarje. Ajo ka thënë se Kosovës i është dashur më herët një festival i tillë.

“Është dashtë të fillohej më herët se sa pas 20 e disa vjetëve, por unë jam gëzuar shumë sepse kur kam hyrë në prova e pata një lloj emocioni të pashpjegushëm sepse m’u kujtua vetja kur kam qenë 16 vjeç dhe kam kënduar te Akordet e Kosovës, ndoshta ai ka qenë festivali i fundit”, ka thënë ajo.

Gjithashtu kryetarja e jurisë ka çmuar ndikimin e festivaleve për karrierën e artistëve të rinj.

“Festivalet gjithmonë i kam dashur dhe gjithmonë do t’i dua pafundësisht sepse festivalet për çdo këngëtar, njësoj si për mua në fillet e karrierës, janë trampolinë për të ecur përpara”, ka thënë Bektashi.

Festivali i Këngës po transmetohet në RTK 1, RTK 2 , Radio Kosovë, uebfaqen rtklive, Radiotelevizionin e Shqipërisë dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut.